
Institucioni i Avokatit të Popullit, ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me mospajtimin se nga 1067 kandidatë të certifikuar për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, vetëm 343 nga ta, janë femra.
Ky institucion ka paditur KQZ-në lidhur me shkeljen e së drejtës për trajtim të barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Avokati i Popullit, thotë se KQZ-ja, sipas mandatit që ka, i ka certifikuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por nuk i ka pasur parasysh garancitë kushtetuese e ligjore sa i përket barazisë gjinore, në mënyrë specifike trajtimin e barabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Nga ana e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të mos komentojë shumë gjatë padinë që Avokati i Popullit i bëri këtij institucioni një ditë më herët.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nuk e komentojnë padinë në fjalë pasi ajo tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Elezi, thotë se ky institucion ka mbikëqyrur zbatimin e nenit 27 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, lidhur me kuotën gjinore.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka kërkuar që KQZ-ja të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 1 067 kandidatë për deputetë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj.
Ligji për Barazinë Gjinore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, ndërsa KQZ-ja pas kësaj, ka organizuar me të njejtin ligj që e zbaton aktualisht dy procese zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitin 2017.



