
Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur që ditën e hënë të bojkotojë të gjitha seancat gjyqësore penale dhe civile përgjatë gjithë javës së ardhshme, me përjashtim të seancave të masave të sigurisë pas vendimit të gjykatës për t’i lënë ata jashtë ambienteve.
Në një lidhje “Skype” për MCN, Merita Dakovelli anëtare e këshillit drejtues te Dhomës së Avokatisë së Durrësit, tha se vendimi për të lënë jashtë ambienteve avokatët nuk ka arsye dhe ndërkohë nuk marrin një përgjigje përse është marrë kjo masë.
Dakovelli kërkoi që që gjykata të reagojë duke gjetur një zgjidhje, ose përndryshe avokatët do të përshkallëzojnë protestën duke bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore.
Intervista e plotë:
Zonja Dakovelli, cila është arsyeja e këtij vendimi? Pse gjykata ka vendosur që juve t’ju lërë jashtë ambienteve….?
Në fillim të muajit maj në gjykatën e shkallës së parë Durrës jemi gjendur para faktit të kryer ku avokatët nuk u lejohej të futeshin në ambiente. Nuk kishte një arsye dhe nuk u argumentuar asnjëherë se kush ishte shkaku. Dhe për shkak të profesionit duke i hyrë analizës së gjithçkaje nuk shoh arsye. Prokuroria lejohet ndërkohë që ne avokatët jo. Duhet të mendoni që ambientet pritëse të gjykatës së Durrësit janë ambiente të vogla.
Ju thoni se keni zhvilluar takime me titullarin e gjykatës së shkallës së parë dhe nuk keni gjetur zgjidhje. Çfarë përgjigje keni marrë prej tij? Si e argumenton ai vendimin?
Nuk kemi marrë një përgjigje. Përveç takimit të zhvilluar ne i kemi çuar dhe vendimin që kemi marrë në 8 maj dhe nuk na është dhënë asnjë përgjigje. Përveç përgjigjes ne donim një reagim, por nuk kemi marrë një përgjigje dhe pse në vendimin e caktuar thuhej që do përshkallëzonim protestën.

Nëse nuk do të reflektohet këtë javë do të marrim masa të mëtejshme.
A i trembeni ju një konflikti mes palëve apo një përsëritje si rasti i avokatit Mëngjesi i cili u sulmua nga klientët e tij? Pra a mund të themi se mungon mbrojtja e shtetit ndaj avokatëve?
Nuk mund të bëj një paralelizëm, por duke u ndodhur në ambientet e jashtme palët mund të konfliktohen me njëra tjetrën. Kryesore për ne është të paturit akses në gjykatë. Sigurisht shpesh shtetin nuk e kemi në krahun tonë. Gjykata nuk mund të jetë pronë e askujt dhe jemi të gjithë bashkë në sistem.
Cilat pritet të jenë pasojat e bojkotit tuaj 1 javor? A do të krijojë kolaps në gjykatë ky bojkot?
Tashmë është e bërë me dije se gjykatat janë në kolaps dhe një vbendim i tillë do e thellojë edhe më tejë gjendjen. Masat do të jenë më drastike nëse nuk do të merren masa.
