Kthimi i eshtrave të ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti në atdhe dhe rivarrimi i tij, është shoqëruar me hapjen e dokumenteve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit nga Autoriteti i Dosjeve, për këtë figurë komplekse të historisë së kryeqytetit.
Nëpërmjet 3 fashikujve dhe 300 fletëve, historianët do të kenë mundësinë të hedhin dritë me fakte mbi figurën e stigmatizuar të ish-nëpunësit të lartë të shtetit shqiptar, i cili u persekutua së bashku me familjen nga regjimi komunist, duke u konsideruar nga propaganda si tradhtar dhe kriminel.
Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit të Dosjeve rrëfen se tashmë studiuesit do të kenë mundësi të njihen me një sërë urdhëresash dhe vendimesh të dala nga zyra Prefektit të Tiranës në vitet 1940-1944.



