Eshtrat e 24 personave janë zbuluar në shtëpinë e një ish-oficeri policie në El Salvador.
Sipas mediave të huaja, varret mund të mbajnë deri në 40 trupa dhe shumica prej tyre besohet të jenë gra ose vajza. Ndërkohë zhvarrosja e të gjithë trupave mund të zgjasë edhe një muaj.
Policia beson se ky zbulim tregon një rrjet vrasjesh të fshehta që kanë ndodhur gjatë një dekade.
El Salvador njihet si një nga zonat që ka vrasjen më të lartë të grave për shkak të gjinisë.
Hugo Ernesto Osorio Chávez, 51 vjeç, u arrestua në Chalchuapa këtë muaj për vrasjen e një gruaje 57-vjeçare dhe vajzës së saj 26-vjeçare. Ish-oficeri, i cili ishte hetuar më parë për krime seksuale, pranoi vrasjen e çiftit.
Por kur ekipet mjeko-ligjore kontrolluan shtëpinë e tij rreth 48 milje (78 km) në veri të kryeqytetit, San Salvador, ata gjetën shtatë gropa me trupa, disa prej të cilave mund të ishin varrosur rreth dy vite më parë.
Në lidhje me ngjarjen janë të akuzuar 10 persona. Të dyshuarit përfshijnë ish-policë, ish-ushtarë dhe kontrabandistë njerëzish, tha Mauricio Arriaza Chicas, drejtori i policisë civile kombëtare të Salvadorit, raporton gazeta La Prensa.



