Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftojnë se pauzat humanitare në Rripin verior të Gazës do të vazhdojnë edhe ditën e sotme për t’u mundësuar palestinezëve që të evakuohen drejt jugut.
Zëdhënësi i IDF në gjuhën arabe, nënkoloneli Avichay Adraee, shkroi në platformën X se rruga Salah a-Din do të jetë e hapur për lëvizjen drejt jugut për gjithsej shtatë orë sot, nga ora 09.00 e mëngjesit deri në orën 16.00 pasdite.
Rruga bregdetare në veri të Gazës do të jetë gjithashtu e hapur për lëvizje nga ora 10.00 e mëngjesit deri në 16.00, në mënyrë që civilët të arrijnë në Salah a-Din.
Për më tepër, ai thotë se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do të bëjnë “pauza taktike në aktivitetet ushtarake” në lagjet e Daraj dhe Tuffah të qytetit të Gazës midis orës 10.00 dhe 14.00 pasdite, në mënyrë që palestinezët të mund të arrijnë në korridorin humanitar për t’u evakuuar në jug.



