
Maxhoranca ka votuar me 74 vota pro futjes në kalendar të projektvendimit për t'i hapur rrugë shembjes dhe ndërtimit të teatrit të ri, pavarësisht se opozita në Kuvend e ka kundërshtuar këtë votim.
Kryedemokrati Basha gjatë fjalës së tij ka akuzuar kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, se po përdoret si një lolo. Kreu i opozitës ka folur nga vendi duke deklaruar se projektligji në fjalë do të vërë në rrezik paqen sociale në vend, vetëm për hir të nevojës së qeverisë së Ramës për të falur mbi 250 mln euro te miqtë e tij, të cilët do të ndërtojnë kullat në zonën e Teatrit Kombëtar.
Sipas Bashës, vendimi për të futur me procedurë të përshpejtuar këtë draft është një gafë e madhe ligjore, për të cilën kryeparlamentari duhet të mbajë përgjegjësi. Reagimi i tij erdhi pas kreu i Kuvendit kërkoi nga administrata që të shpërndahej projektligji për deputetët.
"Qeveria shkel Rregulloren për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ligjin e posaçëm për grabitjen e mbi 200 milionë eurove me ndërtimin e kullave duke shembur Teatrin Kombëtar. Si mund të mbahet më rendi kushtetues dhe paqja sociale politike, kur Edi Rama shkel Kushtetutën, grabit pronën publike për të ligjëruar grabitjen e Teatrit Kombëtar dhe në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese?! Urgjenca për t’i vënë minat Teatrit ka lidhje me kaparin që ka marrë kjo qeveri me Toyota Yaris apo me Abi Bank në Kinë. Duke mos u tërhequr nga kjo masakër, qeveria po i vë minat paqes sociale në vend", deklaroi Basha.
Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit iu përgjigjë kryedemokratit se projektvendimi ka qenë që në fillim të rend të ditës.
Por deputetja demokrate Albana Vokshi akuzoi kryeministrin Rama se po zhduk historinë, po zhduk Teatrin, kinematë, Bibliotekën Kombëtare. "Kur u akuza për vjedhje, pata frikës me mos Rama do më shante me fjalor ordiner. Mbrëmë kur të gjithë shqiptarët, prisnin të hapeshin negociatat, Edi Rama ka kaluar në qeveri një vendim për shembjen e Teatrit. Rama po zhduk historinë, po zhduk Teatrin, kinematë, Bibliotekën Kombëtare", tha Vokshi.
Demokrates i është përgjigjur kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili deklaroi se kjo sot është diskutimi për procedurën, nuk është për thelbin. "Do të diskutohet në komisione se çfarë do bëjmë", tha Balla.



