Dy persona Erzen Uka, 35 vjeç, dhe Julian Cumraku, 34 vjeç, u arrestuan gjatë aksioni të policisë në Orosh të Pukës. Policia u gjeti flamurin e një organizate terroriste dhe armë zjarri, ndërsa u desh negociimi për disa orë që të dorëzoheshin. Teologu Ilir Çurri duke folur në Mcn Live theksoi që kemi të bëjmë me një rast të veçuar të një krimi ordiner dhe ngjarjes s’i duhet dhënë ngjyresa fetare.
“Kemi të bëjmë me një rast të veçuar, ku persona me probleme psikologjike, sociale, pa asnjë komunikim, arrijnë të fshihen. Veçimi i individit që pretendon të jetë fetar, është i ndaluar. Murgëria, largimi nga shoqëria, nga familja, nga jeta sociale, në Islam është relativisht e ndaluar. Nëse kanë pasur aktivitet kriminal, këto s’duhen trajtuar në rrafshe të tjera. U bë bujë e madhe sikur ka celula terrori! Më shumë më ngjan me ato mbeturinat japoneze nëpër ishuj, që s’e dinin që ka përfunduar lufta, dhe shkrepnin ndonjë armë tek tuk. Aty pamë një flamur që i përket një organizate që ka operuar në Siri, dhe ka të bëjë me Emiratin Islamik.
Duhet t’i tregojmë shoqërisë se janë veprime individuale, dhe s’kanë pse të përgjithësohen dhe t’u jepet ngjyresa fetare. S’po justifikojmë veprimet e tyre, por po themi që s’kanë të bëjnë me kontigjente të aktiviteteve terroriste. Element kryesor është frikësimi i situatës, këtë po e bën media, duke na sjellë ato pamje sikur u bë nami. Kemi krim ordiner, armëmbajtje pa leje. Të mos kalojmë kufijtë e një krimi ordiner. Ky është rast i veçuar kriminal. Shpesh ndodh që individë me trauma, kanë keqkuptime të teksteve fetare dhe kanë devijime”.



