
Punonjësit e administratës publike, por dhe ata në sektorin privat në Itali do të jenë të detyruar që për tu paraqitur në punë të kenë lejen shëndetësore, ose siç quhet ndryshe kartën e gjelbër.
Vendimi u mor mbrëmjen e së enjtes nga qeveria dhe u bë publik sot në orët e para të mëngjesit nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza.
Kështu Italia bëhet vendi i parë në Evropë që kërkon nga të gjithë punonjësit të kenë kartën e gjelbër shëndetësore Covid-19.

Vendimi do të jetë në fuqi nga 15 tetori deri në 31 dhjetor. Nuk përjashtohet asnjë kompani dhe institucion shtetëror, ndërkohë jashtë këtij urdhri të detyrueshëm tashmë me ligj, mbeten pensionistët dhe ata që janë të papunë.
Ministri i shëndetësisë deklaroi gjatë një konference për shtyp se masa vjen e detyrueshme pas një situate tejet të vështirë dhe me qëllim parandalimin e rritjes së infeksioneve.
Me këtë dekret ne zgjerojmë, duke filluar nga 15 tetori, përdorimin e lejes së gjelbër në të gjithë sektorët e punës, publike dhe private. Ne e bëjmë këtë për t'i bërë këto vende më të sigurta dhe për të forcuar më tej fushatën tonë të vaksinimit. Ne do ta bëjmë rrjetin e farmacive të afta për të administruar tampona më të përhapur. Dua t'ju kujtoj se testet e antigjenit do të jenë falas vetëm për personat e përjashtuar siç parashikohet nga qarkorja e Ministrisë së Shëndetësisë.
Të gjithë punonjësve do t’u kërkohet të provojnë se janë vaksinuar kundër COVID-19, janë duke u shëruar nga infeksioni, ose kohët e fundit kanë rezultuar negativë për virusin.

Çdo punonjës që nuk arrin të paraqesë një certifikatë të vlefshme shëndetësore COVID-19 do të pezullohet pa pagesë pas pesë ditësh, por nuk mund të pushohet nga puna. Ata që nuk janë të vaksinuar gjithashtu mund të gjobiten deri në 1,500 €.
Senati italian votoi në masë dërrmuese në favor të kartës së gjelbër, me 189 në mbështetje, 32 kundër dhe vetëm 2 abstenime. Ministrat i kërkuan Italisë që të zgjasë vlefshmërinë e testeve të COVID-19 nga 48 orë në 72 orë.




