Pas një muaji bllokadë, Kosova dhe Serbia do të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.
Zëdhënësi i BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka konfirmuar për Express se të enjten do të takohen Kosova dhe Serbia në Bruksel në nivelin e ekspertëve. Ai ka thënë se në takim nuk do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar për Express se Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq do të takohen të enjten në Bruksel.
“Takimi i ardhshëm i nivelit të ekspertëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të zhvillohet këtë të enjte më 29 Tetor në Bruksel. Ky takim është ai që ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në fund të shtatorit por është dashur të shtyhet për të parandaluar masat parandaluese të karantinës në lidhje me pandeminë e koronavirusit,”- thuhet në përgjigje.
Peter Stano më tej tha se në takimin e së enjtes nuk do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kryenegociatorët do të takohen për të diskutuar zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës,"- tha ai.
Ndërkaq dje zëdhënësi i BE’së, Peter Stano deklaroi se takimet në Bruksel do të zhvillohen në përputhje me masat institucionale belge të futura për të ndaluar përhapjen e Covid-19.
Takimi i 29 tetorit vjen pasi ishte shtyrë një takim i mëparshëm në fund të shtatorit.
Njëra nga arsyet e shtyerjes së takimit ishte edhe refuzimi i Kosovës për të biseduar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të cilën kishte insistuar Serbia.



