
Eventi prestigjioz në trojet shqiptare “Miss & Mister Junior-Krenaria Shqiptare 2025”, me pjesëmarrjen e fëmijëve konkurrentë nga e gjithë Shqipëria, në moshat 7-11 vjeç, u përmbyll me sukses duke shpallur dy fitues të talentuar dhe plot hijeshi.
Këtë vit, edicioni i organizuar nga themeluesi dhe producenti Xhoni Mërkuri, u zhvillua në një mbrëmje magjike në qytetin historik të Krujës, zemra e traditës dhe krenarisë kombëtare shqiptare.
Të ftuar në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, producenti Xhon Mërkuri dhe fituesit Isabella Nikolli dhe Alteo Voci ndanë emocionet e tyre pas fitores dhe përvojës në këtë garë të veçantë.
Isabella Nikolli:
Ky ishte një konkurs për modeling, që mua më pëlqen shumë.
Nuk e prisja fare fitoren dhe kisha shumë emocione. Ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.
Duhet të kesh ecje të bukur, zgjuarsi dhe prezantim të mirë.
Alteo Voci:
Nuk e prisja që do të fitoja. Unë e dua modelingun dhe ishte mësuesja që më nxiti të marr pjesë.
I tha prindërve të mi dhe vendosa ta provoj. Jam shumë i lumtur që mora pjesë.
Xhoni Mërkuri, producenti i eventit:
Interesi për këtë konkurs është shumë i madh. Kam rreth dy vjet e gjysmë që merrem me këtë projekt dhe çdo vit pjesëmarrja rritet, si nga fëmijët ashtu edhe nga prindërit.
Edhe pse puna me fëmijët është e vështirë, ajo është po aq e bukur dhe e frytshme.
Sivjet morën pjesë 24 konkurrentë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe secili prej tyre u vlerësua me një çmim simbolik.
Zgjedhja e Krujës si vend për eventin nuk ishte rastësore, është një destinacion me histori dhe traditë, ndërsa çdo vit përpiqemi të zhvillojmë konkursin në një qytet të ndryshëm.
Gjatë eventit, fëmijët zhvillojnë ‘photo shoot’-e, prezantojnë traditat popullore të zonave nga vijnë dhe shprehin emocionet e tyre përmes artit dhe skenës.Ky edicion vuri në pah jo vetëm talentin dhe hijeshinë e 24 konkurrentëve të vegjël, por edhe rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, që duhet përcjellë me dashuri tek brezat e rinj.
Në këtë event bashkohen arti, tradita, kultura, vlerat kombëtare dhe bukuria e fëmijëve shqiptarë, një festë e vogël, por plot kuptim për të ardhmen.



