
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, sqaroi sot procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës.
Ministrja Balluku theksoi se autostrada Tiranë-Durrës nuk do të bëhet me pagesë as tani dhe as në shtator, sikundër u tha. Sipas saj, në vjeshtë do të hapet gara për të zgjedhur koncesionarin fitues, kushti i parë i të cilit do të jetë zgjerimi i rrugës së vjetër Tiranë-Plepa dhe sjellja e saj në parametra evropiane.
“Nuk qëndron asnjë projekt për momentin, do të presim çdo projekt që do të ketë fizibilitet të lartë. Dje ka pasur një konfuzion në media, projekti i autostradës Tiranë-Durrës është përmendur shpesh herë edhe nga ministria dhe qeveria si një nga projektet kryesore, pasi lidhja e kryeqytetit me portin e vendit është detyrë, ne na vendos para faktit që sa më shpejt të zhvillohet. Ne po punojmë, në vjeshtë projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente për të qenë fituesi i radhës dhe më pas të fillojnë punimet dhe jo që në shtator do të fillojë kalimi me pagesë. Do të ketë një dialog publik. të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë do të kenë gjithmonë rrugë alternative. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë”, tha Balluku.
Balluku deklaroi se “nuk bëhet thjesht për zgjerim të autostradës, por përmirësim të të gjitha kushteve. Ka pasur një propozim dhe një projekt që po shikohet për t’u vlerësuar dhe nuk ka një propozim për pagesën. Është e parëndësishme për momentin elementi se sa do të paguhet, pasi kjo do të ndodhë pas realizimit të projektit, pas përfundimit të garës transparente, pas realizimit të projektit, pra në një afat të largët, por që do të bëhet përmes një procesi dialogues”.
Balluku tha se do të ketë përshkallëzim të tarifave, por ende është e largët koha kur do të futet në fuqi pagesa.



