Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, e sheh të ngjashme paqartësinë rreth projektit të portit të Durrësit me atë të disa viteve më parë lidhur me projektin e dështuar për një port në Karpen. Në studion e MCN TV, përmes një lidhjeje Skype, Gjokutaj tha se rreth çështjes së portit është krijuar një tymnajë nga e cila përfitojnë palët që nënshkruajnë kontratën. Gjokutaj tha se është e domosdoshme transparenca deri në nëshkrimin e kontratës, ndërsa shtoi se investimi në portin turistik sjell me vete riskun e hyrjes në vend të parave të pista.
Ligjet janë miratuar. Mungon pjesa e fizibilitetit. Mungon transparenca për çfarë është vendosur deri tani. Ka akuza për korrupsion që e bëjnë të dyshimtë dhe të ngjashme me investimin në Karpen. Ka mungesë të debatit me publikun për të sqaruar të gjitha ato akuza që opozita hedh.
Në gjithë këtë tymnajë, interesi është të lihet e pasqaruar pjesa ligjore.
Ka risk që në vend të hyjnë paratë pista të individëve që fshihen pas kompanive offshore. Individë të përfshirë në aktivitete kriminale mund të jenë aksionerë.
Qeveria duhet që gjithë këtë periudhë deri në momentin e firmosjes së kontratës të japë me detaje informacione për publikun.
Lidhur me zhvendosjen e portit tregtar, Gjokutaj tha se në një moment delikat si situata aktuale, dëmi do të reflektohet menjëherë në ekonomi.
Zhvendosja e portit do të krijojë ngadalësim në hyrjen e mallrave. Kjo do të dëmtojë ekonominë në një moment delikat. Porta më e madh hyrëse prishet, pra do të jetë një disfavor që nuk do të rikuperohet kollaj.



