Qytetarët në katër komunat në Veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin-Potok, Zveçan po votojnë sot nëse duan t'i shkarkojnë kryetarët aktualë të komunave.
Eksperti i sigurisë Milazim Gashi, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV e konsideroi referendumin si të dështuar që në start për shkak të pamundësisë së Listës Serbe për të arritur “50 plus 1” të votave.
Ai thotë se nuk priten provokime dhe incidente, ndërsa shton se veprimet e qeverisë Kurti kanë rritur fuqinë e Listës Serbe në terren.
Lista serbe ka timonin e komunitetit serb në Kosovë, dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm te votuesi. Vendimet e Listës Serbe merren direkt nga Beogradi, nga z.Vuçiç. Sistemi i referendumit qysh në start ka qenë i dështuar. Ka qenë e pamundur që Lista Serbe të organizonte një referendum “50 plus 1”, për shkak se në Veri, sipas një kalkulimi janë diku te 18-20 mijë rezidentë, ndaj komuniteti i Listës Serbe në zgjedhjet e kaluara në krejt territorin e Kosovës ka marrë rreth 50 mijë vota, kështu që në start qasja për të përkrahur referendumit ka qenë e pamundur, sepse teknikisht është e pamundur.
Lista Serbe ka rreth 10 subjekte politike që janë shkrirë në kuadër të Listës Serbe. Me veprimet e qeverisë Kurti, Lista Serbe e ka rritur fuqinë e vet në terren. Ka treguar edhe forcën e vet, me këtë rast të referendumit. Këto janë gabime për vet komunitetin serb, janë njëjtë si djegia e mandateve nga opozita në Shqipëri. Qeveria ka vepruar shumë mençëm, duke ia mundësuar që nëse janë votat 50 plus 1 t’i shkarkojë kryetarët e komunave. Referendumi që në start ka qenë i dështuar. E vetmja shpresë është për një zgjidhje më strategjike. E vetmja pikë ku z.Kurti e ka një pikësynim është të shkojmë në zgjedhje nacionale, ku të japin dorëheqjen kryetarët në Veri, dhe të zhvillohen njëkohësisht zgjedhjet nacionale dhe lokale. Nuk do ketë asnjë provokim nga komuniteti serb sepse e kanë mbërritur efektin juridik. Nuk do të ketë asnjë incident nga ndonjë grup kriminal që aludohet. Për shkak se referendumi është i dështuar në këtë pikë. Futja e këtij referendumi e ka minimizuar qasjen për dorëheqjen. Kurti po e taktizon, që është një gabim i madh, që të futet në aspekte teknike dhe të revanshojë mbi komunitetin. Me gabimet e qeverisë Kurti Lista Serbe është betonuar si subjekt i parë politikë që do ta shohim edhe në zgjedhjet nacionale që do ngrejë pas vetes diku rreth 13 deputetë në kuadër të ekzekutivit të Kosovës”.



