
Policia e Korçës ka vënë në pranga një person dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë, pasi u kapën duke prerë dru në pyll në mënyrë të paligjshme.
“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të territorit, policia goditi një rast i tentativës për prerje të pyjeve, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ç. L., 51 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. A., 65 vjeç dhe E. A., 32 vjeç, banues në fshatin Qafëzeze, Kolonjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë dhe të Inspektoratit Pyjor, duke prerë dru në mënyrë të paligjshme në fshatin Çlirim, Kolonjë. Shtetasi Ç. L., për të shmangur penalizmin, ka kanosur për shkak të detyrës shtetasit A. J. dhe E. Ç., si edhe ka goditur me mjet të fortë në krah shtetasin K. M. (të tre me detyrë inxhinierë pyjesh pranë Bashkisë Kolonjë). Shtetasi K. M., pasi mori mjekim në spital, u largua në banesë.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 4 metër dru sterë, e llojit ah. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.



