
Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim me diplomatët shqiptarë në kuadër të programit “Diplomacia Ekonomike”. Duke u ndalur te investimet e huaja, Rama tha se duhet një nivel koordinimi që institucionet shqiptare nuk e kanë pasur më parë, por sipas tij pa të cilin është e pamundur të hartohet një program suksesi në këtë drejtim.
Rama tha se turizmi por dhe shume potenciale të tjera ekonomike duhet të paraqiten para biznesit të huaj.
Pjesë nga fjala e Ramës
Shërbimi i jashtëm duhet të mbështesë investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik duke bashkëpunuar me qeverinë dhe bashkitë e vendit. Ridimensionimi i diplomacisë ekonomike nuk është objektiv që mund të përmbushet thjesht nga diplomatët, por kërkon kalimin në një nivel tjetër të koordinimit me ministritë që janë të përfshira drejtpërdrejt në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja. Unë besoj që me disa objektiva të qarta, me vullnetin për ta bërë këtë ndryshim së bashku, jam i bindur që kjo përpjekje e përbashkët do të sjellë ndikim në përmirësimin e imazhit të vendit. Shqipërinë duhet ta shohin si një vend të rëndësishëm dhe jo rreziqesh imagjinare. Nuk është më fjala për një treg të vogël si Shqipëria, por rajonal. Ka një rritje të interesit për investimet në turizëm dhe në energji. Do të ketë një plan konkret për të zhvilluar marrëdhënien edhe me Diasporën. Është e rëndësishme që në funksion të kësaj qasje të re për ta vendosur shërbimin e jashtëm në dispozicion të investimeve. Ne kemi edhe një zv/ ministër për të ndërvepruar me ambasadorët dhe me kompanitë për të bërë të mundur që ne të marrim shumë më tepër dhe të anashkalojmë shumë burokraci dhe vështirësi në komunikim nga vendet ku operoni çdo ditë në ministri apo institucionet e tjera.



