Shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovrat e gabuara në kryqëzim janë shkaqet e aksidentit të rëndë, ndodhur tre ditë më parë në Tiranë. Emisioni “FactCheck” zbardh rrëfimet e dëshmitarëve dhe dosjen e hetimit, ndërsa gjykata mbyll në qeli shoferin e gjobitur mbi dhjetë herë për shkelje Jorgaq Thëngjilli.
Shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovrat e gabuara rezultojnë shkaku i aksidentit të frikshëm ndodhur rreth orës 13:00, më datë 5 nëntor 2023 në rrugën Ismail Qemali në kryeqytet.
Emisioni “FactCheck” sjell pamjet dhe zbardh dosjen e dinamikës së aksidentit.
Siç dhe shihet në këto pamje, automjeti “Mercedez Benz” drejtuar nga Jorgaq Thëngjilli vjen nga rruga e Radio Televizionit Shqiptar dhe futet në kryqëzimin e rrugës Ismail Qemali.
Mjeti futet shumë shpejt në kthesë dhe devijon në të djathtë të rrugës e më pas kalon në anën e majtë duke marrë përpara barrierat dhe tabelën e reklamave.
Vazhdon sërish dhe siç shihet në këtë pamje të dytë, janë një djalë e një vajzë që merren para nga autovetura.
Ata janë dy kalimtarë të cilët veç dëmtimeve fizike u është rrezikuar edhe jeta pa pasur asnjë faj dhe thjesht se kanë qenë duke ecur në trotuar!
Teksa janë duke ecur në drejtim të bulevardit Dëshmorët e Kombit, çifti i të rinjve ndalojnë për një çast dhe kthehen sërish pas, e ky moment fatal bën që ata të goditen nga automjeti drejtuar nga Thëngjilli.
Por çfarë rrëfyen dëshmitarët?
Ishte ora rreth 13:45 minuta, ndodhesha në trotuar pashë një automjet që ishte me shpejtësi dhe po bënte manovra nga e djathta në të majtë. Më pas mjeti hipi në trotuar nga ana e Vilës Bardha, pasi mjeti u përplas me një tabelë reklamash dëgjova të bërtiturat e një vajze ndërsa personin që ishte me vajzën e pashë teksa ishte ngritur mbi kofanon e makinës. Menjëherë njoftova 112 duke u thënë se ka një aksident me pasoja në njerëz pranë AKSH-it.
Ndër personat që kanë dhënë deklarime para hetuesve është edhe vëllai i shoferit të arrestuar, shtetasi N. Thëngjilli.
Rreth orës 13:00 vëllai im Jorgaqi mori automjetin me targë AA 528 PY, së bashku dërguam mamin në punë tek stadiumi “Air Albania”. Sa u futëm në një kryqëzim për nga kryeministria, mjeti rrëshqiti. E pashë veten të hipur mbi trotuar, pashë një djalë të aksidentuar dola menjëherë dhe nga tronditja jam lutur para mjetit.
Hetimet kanë zbuluar se mjeti ka qenë tej shpejtësisë së lejuar, pa gjurmë frenimi ndërsa shoferi i arrestuar i ndëshkuar disa herë për shkelje rrugore dhe masa e fundit administrative daton më 23.7.2023 për shpejtësi në zonat e banuara.
Pas aksidentit ka ndërhyrë shërbimi urgjencës duke transportuar të dëmtuarit të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nuk mungoi edhe një vizitë në spital tek të dëmtuarit e Ministrit të Brendshëm z. Taulant Balla.



