Anëtari i Kryesisë i shoqatës së gjuetarëve “Blerimi”, Eduart Tashi, e cilëson si vendimmarrje politike totalisht të gabuar dhe jashtë realitetit, zgjatjen e moratoriumit të gjuetisë me 5 vjet.
Ai tha për MCN Live, se moratoriumi po bëhet ndihmës i të jashtëligjshmëve.
Po trajtohemi si shtresë vulnerabël. Gjahtarët e rregullt janë në mbrojtje të faunës dhe natyrës. Kur ne e mbështetëm ishte moratorium 2 vjeçar që do jepte efekte, pas dy vitesh, nuk mund të jepte më. I gjithë terreni është i pamenaxhueshëm. Sot kemi vetëm administratë të zonave të mbrojtura dhe fondi pyjor i ka kaluar bashkisë dhe bashkia e i ka trajtuar thjesht si vende pune. Habitatet janë të pambrojtura. Po të marrim specie të caktuara, që janë egërsira sot, po prevalojnë mbi objektet e gjuetisë. Moratoriumi i është përshtatur disa OJQ-ve që përfitojnë fonde. Është qokë politike. Kjo është natyrë bolshevike e vendimmarrjes, pasi palët nuk janë ftuar në tryezë. Politikisht shoqatat e gjuetisë trajtohen si partnere politike për fushatë dhe pastaj harrohet.
Sipas tij, moratoriumi duhet të jepte efekte, ndaj shton se shoqatave nuk i’u janë prezantuar rezultate teknike se si janë rikuperuar habitatet.
Ta kuptoj ministria se ky territori i Shqipërisë i mbaka shpendët migratore. Ne i ruajmë për kë, kush do i ketë objekt gjuetie? Realiteti është krejt tjetër, ne nuk quhemi palë dhe sportista, nuk na njeh të drejtën e mendimit.
Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po sillet si sundues, duke e cilësuar si eksperiment të radhës se sa durojnë njerëzit dhe nëse do e votojnë sërish duke sunduar.



