Filmi "Udhëtim në pranverë" i regjisorit Fatmir Doga, vjen së fundmi në treg nën aktrimin e këngëtarit dhe muzikantit Gjergj Kaçinari dhe producentit Marin Hoxha.
Të ftuar në programin e mëngjesit "Zgjohu me MCN", ata folën për realizimin e filmit që është vlerësuar shumë lart nga kritika.
Gjergj Kaçinari
Trajleri i filmit më pëlqeu sepse nuk tregon asgjë për përmbajtjen, por ka skena shumë të mira. Që nga ftesa, ishte një ndjesi shumë e këndshme, duke qenë se jam në këtë fushë arti dhe performimi, edhe pse nuk ka lidhje me aktrimin.
Përveç kimisë me rolin që kishte Nita Latifi, gjithashtu bashkëpunimi me regjisorin Fatmirin ka qenë shumë i rrjedhshëm. U krijuan rrethana që i dhanë mundësi për një eksperiencë të paharrueshme.Regjisori ka një instinkt të shkëlqyer për të kuptuar çdo personazh dhe unë e gjeta veten të përfshirë në atë skenar. E kam lexuar skenarin, 200 faqe, gjatë gjithë natës, deri sa e përfundova.
Ftesa më erdhi një mbrëmje, kur isha në një darkë dhe mora një mesazh nga Tea, e cila më informoi se po bëhej një film dhe më përshkroi zhanrin e tij. Mendoja se mund të isha i përshtatshëm për këtë rol. Isha i gatshëm për t'u takuar, edhe pse isha pak skeptik për vetveten, duke menduar se si do ia dilja. Por jam munduar të kem rendiment dhe disiplinë në punë dhe jam përpjekur të jem përgjegjës gjatë gjithë kohës.
Takimi me Fatmirin dhe Tean ka qenë një moment i veçantë.
Ky është projekti im i parë në kinematografi dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt. Nuk e kam parë ende filmin, por pres që ai të pritet mirë.
Trajleri ka qenë shumë më i mirë se çfarë kam parë unë, por pres që filmi do të jetë një sukses. Shumë skena janë harruar tashmë, pasi xhirimet kanë përfunduar që disa muaj, por mbeten shumë momente të bukura.
Marin Hoxha
Po vij për herë të parë si producent dhe kjo është eksperienca ime e parë. Mendoj se kam dalë siç duhet dhe shpresoj që filmi do të pritet mirë nga publiku.Ngjarjet e filmit nisin në Prishtinë, ku roli i Gjergjit është ai i një piktori, Don Zhuan, i cili padashur bëhet dëshmitar i një vrasjeje polici dhe e denoncon këtë në polici. Dreni është i vetmi dëshmitar dhe merret në mbrojtje nga Nita.
Ata shkojnë në Dhërmi dhe zhvillojnë ngjarjet atje, në një periudhë kur nuk kishte shumë njerëz. Gjatë kësaj periudhe të arratisjes, lindin shkëndija të reja, ku ata njoftohen me banorët e zonës dhe traditat e tyre.
Ky është një film ku janë prezantuar karaktere të forta dhe tipik të personazheve që kam marrë përsipër. Fatmiri ka një instinkt të shkëlqyer për të kuptuar njerëzit dhe personazhet që përshkruan.
Përveç Gjergjit dhe Nites, kemi pasur aktorë të tjerë të shkëlqyer që kanë bërë punën shumë të lehtë.
Filmi do të shfaqet për publikun në premierë më 13 mars në kinematë e vendit. Ftoj të gjithë të vijnë dhe ta shikojnë këtë film të veçantë.



