
Nga Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama kërkoi një raport të ri pas atij të Dick Marty, lidhur me luftën në Kosovë.
Ai tha se sapo përmendet fjala Ballkan, vijnë imazhet e njollosura të krimeve njerëzore, të gjendocidit në Srebrenicë dhe spastrimit njerëzor në Kosovë.
Sipas tij, llogaridhënia duhet të vazhdojë, por kjo kërkon angazhim dhe vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe bashkëpunimit mes palëve, pasi nënvizoi se drejtësia shërbehet me fakte, prova dhe me të dhëna.
Nuk mund të mos ndaj një shembull të tmerrshëm që duhet të jetë mësim për botën. Në vitin 2011, u soll raporti i Dick Marty, ku akuzohej Ushtria e Kosovës për trafik organesh.
Duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës.
Asnjë grimcë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin.
Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, Presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare.
As edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi.
Rama bëri thirrje që Asambleja e OKB të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që pohoi se dëmi është bërë, por se një raport i ri do të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme.
Ndër të tjera Rama tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit dhe të bëjnë rolin e tyre për një marrëveshje të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe SHBA.
Shqipëria nuk do të lëkundet nga pozicioni që Serbia të njohë Kosovën. Dialogu është i nevojshëm dhe Ballkani i Hapur do ta ndihmojë këtë proces.



