
Politologu Nexhmedin Spahiu thotë se më shumë sesa dënimi i mundshëm i ndonjërit prej ish-drejtuesve të UÇK-së, imazhin e kësaj të fundit e kanë dëmtuar vetë krimet e luftës. Në një bisedë në studion e lajmeve përmes Skype-it, Spahiu tha se ekzistenca e këtyre krimeve e ka zbehur imazhin e UÇK. Ai u ndal edhe të vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, më 21 shtator 1998 në Tiranë.
Imazhin nuk mund ta implikojë dënimi apo mosdënimi i ndonjërit prej tyre. Imazhin e ka dëmtuar vrasja e oponentëve politikë apo krimet e luftës. Gjatë luftës së Kosovës janë bërë krime dhe kush mban përgjegjësi e do të dënohet është çështje tjetër. Fakti që krimet kanë ekzistuar e ka zbehur në masë të madhe imazhin. Vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes në Tiranë akoma nuk është zbardhur.
Spahiu tha më tej se nuk ka vend për dyshime mbi Gjykatën Speciale, një organ i dalë nga vullneti 2/3 së deputetëve të Parlamentit të Kosovës.
Është vullnet i popullit të Kosovës për ta themeluar. Në mesin e votave për këtë gjykatë është edhe vota e njërit prej të akuzuarve në Hagë. Nuk ka pse të vihet në mëdyshje formimi i një gjykate të tillë dhe funksionimi i saj. Aleatët kanë dhënë 400 milionë euro për themelimin e kësaj gjykate. Ajo nuk varet as nga Rusia, Kina apo Serbia por nga vendet që e financojnë, pas vendimit të Parlamentit të Kosovës me 2/3 e votave për ta ngritur.



