Shtimi i mjeteve zjarrfikëse, rritje të pagave dhe vendosje hidrantesh, kanë qenë disa nga kërkesat e shefave të reparteve zjarrfikëse të bashkive të qarkut Fier, në takimin e organizuar paraditen e sotme në prefekturën e këtij qarku, me fokus situatën e zjarreve. Të pranishëm ishin drejtuesit e reparteve zjarrëfikëse të gjashtë bashkive të qarkut, përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë, si dhe këshilltari i Ministrit të Brenshsëm Flamur Mamaj.
Në një pronconim për mediat, prefekti i qarkut Fier Arben Çuko ka pohuar se "krahas punës së mirë të bërë në fikjen e zjarreve nga efektivët zjarrfikës të qarkut Fier, problematikë madhore mbetet mungesa e mjeteve, veçanërisht në bashkinë e Mallakastrës, e cila ka terren të thyer dhe shtrirje të gjerë gjeografike, por dhe mungesa e hidrantëve në qytete apo zonat e banuara".
Ndërkohë këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, theksoi "rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, forcave të rendit dhe emergjencave, për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj situatave të rrezikshme. Jemi duke punuar për një strategji të re kombëtare ka thënë Mamaj, përfshirë edhe ndryshime ligjore. Një pjesë e zjarreve kanë qenë të qëllimshme ndaj po punohet fort në drejtim të identifikimit dhe ndëshkimit të piromanëve".
Mamaj ka vlerësuar gjithashtu edhe ndërhyrjen e banorëve në vatrat e rrezikshme, të cilët i janë bashkuar aksioneve për shuarjen e flakëve, ndërkohë që ka shuar zërat për zjarrvënie me qëllim ndërtimin e paneleve fotovoltaike veçanërisht në jug të vendit.



