
Nga e mërkura e ardhshme, Gjermania do të hyjë në një fazë të re të mbylljes për të frenuar rritjen e infeksioneve. Sipas draftit të hartuar nga qeveria, të cilit i referohen mediat gjermane, nga e mërkura e ardhshme në vend shumica e bizneseve do të mbyllen nga 16 dhjetori deri më 10 janar. Vetëm bizneset thelbësore, të tilla si supermarkete, farmaci dhe banka, duhet të qëndrojnë të hapura. Kancelarja Angela Merkel ua paraqiti dokumentin autoriteteve të qeverive lokale gjatë një takimi që u mbajt sot.
"Masat e vendosura më 2 nëntor nuk kanë vepruar sa duhet. Ne jemi përsëri dëshmitarë të një rritjeje të rasteve të Covid-it dhe një rritjeje eksponenciale të indeksit të transmetimit” , tha Merkel pas takimit me krerët e landeve.
"Ne e dimë që sistemi shëndetësor në këtë moment është shumë i ngarkuar. Në këto kushte, na duhet veprim urgjent", tha ajo duke shtuar se për autoritete shëndetësore synim mbetet mundësia e rindërtimit të zinxhirëve të kontaktit dhe rikthimi te një incidencë deri në 50 raste të reja për 100 000 banorë në shtatë ditë.
"Mbyllja e pjesshme, me bare dhe restorante të mbyllura, por shkolla dhe dyqane të hapura nuk është e mjaftueshme për ta rivënë situatën përsëri nën kontroll", tha Merkel.
Plani i qeverisë gjermane prek edhe shkollën, e cila do të mbetet e mbyllur gjatë së njëjtës periudhë. Bizneseve do t'u kërkohet të mbyllen ose të punojnë nga shtëpia sa më shumë që të jetë e mundur.



