Banorët e zonës kundërshtojnë ujësjellësin që po ndërtohet në kanionet e Sinecit. Ata kanë bërë në SPAK një padi ndaj ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, prefektit të Fierit Lefter Shehaj si dhe për të disatën herë kanë paditur biznesmenin Pëllumb Salillari. Për gazetarin Mentor Kikia, sado që duken paradoks, raste të ngjashme, kur banorët ngrihen për të mbrojtur pasuritë natyrore të vëna në rrezik nga shteti, ka plot nëpër Shqipëri.
Nuk mund të lejohet një ndërtim pa leje në mes të një kanioni piktoresk dhe në një zonë të mbrojtur. Çështja është histori e vjetër. Është e patolerueshme që shteti që i ka mekanizmat për t’i ruajtur pasuritë natyrore duhet të përballet me banorët që duan t’i mbrojnë. Kjo nuk ndodh vetëm në Sinec, por në shumë zona të vendit. Banorët janë ata që luftojnë për t’i mbrojtur këto pasuri.
Lidhur me disa audio-përgjime në të cilat biznesmeni Salillari del se ka tentuar të korruptojë funksionarë të SPAK-ut në një çështje të mëparshme, Kikia tha se falë tyre, rasti merr përmasat e një skandali.
Implikohen zyrtarë të lartë sepse nëse ai denoncim publik i bërë nga avokati i banorëve është i vërtetë, jemi përpara një skandali. Nuk kemi të bëjmë me një qytetar që tenton të korruptojë, por me një nga njerëzit më të afërt të qeverisë, përfitues i tenderave publikë. Jemi para faktit që një deklaratë e bërë publike në ekranin e MCN duhet të merret në konsideratë.
Në Shqipëri sipërmarrësit e mëdhenj kanë pasur një lloj tagri për të ndërhyrë ku kanë dashur mbi pasurinë kombëtare. Drejtësia deri tani ka treguar se është e pafuqishme para tyre.
Këto zona nuk mund t’i ruajmë nga shteti. Ka raste të ngjashme në disa zona në veri të vendit.



