Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri të premten është shprehur se për të ulur borxhin publik, rritja e ekonomisë shqiptare duhet të jetë në nivelin rreth 4 për qind.
I ftuar përmes një lidhje me Skype për edicionin informativ të lajmeve në televizionin TVT, Tomorri theksoi se vendit tonë do t’i duhen dekada për t’a ulur borxhin publik dhe që kjo gjë të ndodhë duhet të përkojë me situatën ekonomike e cila duhet të jetë e mirë.
“Imagjinoni tani që llogaritjet janë shumë të thjeshta dhe çfarë do të duhet që borxhi publik të ulet nga 80% në 60% që konsiderohet si niveli maksimal i pranueshëm që mund të mbajë ekonomia shqiptare. Pra do të duhen dekada dhe kjo duhet të përkojë që situata ekonomike të jetë e mirë”, tha Tomorri.
Sipas tij, në rast se situata ekonomike në vend vazhdon të jetë e vështirë dhe në rast se rritja ekonomike vazhdon të jetë e ulur, atëherë borxhi publik i Shqipërisë do të jetë një nga problemet më të mëdha të ekonomisë së vendit, pasi një borxh në masën 80%, ekonomia shqiptare nuk e mban dot.
Ai deklaroi se borxhi publik përcaktohet jo vetëm nga huamarrja që bën Qeveria, por edhe nga rritja ekonomike.
Ndërkaq, për sa i përket uljes së borxhit publik, gazetari i ekonomisë Tomorri theksoi se për uljen e borxhit publik në vend ka dy mënyra:
E para, ulja që vjen përmes rritjes ekonomike, pra duke u rritur ekonomia ulet niveli i borxhit publik dhe mënyra e dytë është ajo e masave korrigjuese fiskale.
“Që do të thotë ose do të ketë rritje taksash ose do të ketë shkurtim të shpenzimeve që shteti apo buxheti bën për sektorët kyç dhe prioritar të ekonomisë siç janë; arsimi, shëndetësia apo edhe investimet publike. Mund të ketë ngrirje të pagave dhe pensioneve për një kohë relativisht të gjatë për të kursyer. Këto janë masat se si mund të ulet borxhi”, tha ai.
Më tej, gazetari i njohur i ekonomisë në vend u shpreh se nuk mendon se qeveria shqiptare ka hapësirë për të rritur taksat, pasi në rast të kundërt kjo do të kthehej në një boomerang dhe do ta dëmtonte edhe më shumë ekonominë shqiptare.
Kjo për arsyen, theksoi Tomorri, se Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të lartë të taksave në Ballkan, si për ato direkte apo indirekte.
Më sipër, gazetari bëri edhe një përshkrim historik të borxhit publik që nga vitit 2013-të, duke theksuar se shifra reale e borxhit publik të asaj kohe ishte e diskutureshme për shkak të detyrimeve të prapambetura.
Tmorri tha se pavarësisht debateve, ajo ishte rreth nivelit 63-70 për qind.
Ai u shpreh se nga ai nivel që ishte në 2013-ën, për tetë vjet qeverisje, shifra e borxhit publik duhej të ulej në nivelin e 65%.
“Në tetë vjet Shqipëria me rritje ekonomike 3 deri në 4 për qind, për për një periudhë që ishte relativisht jo e vështirë ekonomike por e mirë, arriti ta ulë borxhin me vetëm 3 deri në 4 pikë përqindje të prodhimit kombëtar”, tha ai.



