
Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani në kuadër të ditës së parë të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, qëndroi fillimisht në qytetin e Lezhës.
Ajo u ndal në bashkinë e qytetit, ku zhvilloi një bisedë me kryebashkiakun Pjerin Ndreu.
Më pas presidentja Osmani së bashku me delegacionin që e shoqëronte vizituan memorialin e Gjergj Kastriotit.
Ajo bëri homazhe në varrin ku prehen eshtrat e heroit tonë kombëtar dhe u njoh me historinë e këtij monumenti.
Kujtojmë që sot në orën 15:30 ajo do të ketë një takim me Presidentin Ilir Meta ndërsa në orën 17:00 ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët.
11:12h- Vjosa Osmani nis sot vizitën zyrtare tre ditore në Shqipëri
Presidentja në detyrë në Kosovë, Vjosa Osmani do nisë sot vizitën tre ditore në Shqipëri. Osmani gjatë ditës së sotme do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në qytetin e Lezhës.
Më pas do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe në orën 17:00 do të mbajnë konferencë të përbashkët.
Ndërsa të enjten, më 17 dhjetor, Osmani do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të vendosë kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Po kështu, presidentja në detyrë do të mbajë fjalim në kuvend.
Ndërsa në orën 16:00, Osmani do të takohet me kryeministrin, Edi Rama.
Ditën e fundit të vizitës, të premten në orën 10:00 ajo do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të 'Çelësit të Qytetit'.
Kurse, në orën 11:45 Osmani do të ketë takim me ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Osmanit, që kur ushtron detyrën e presidentes së Kosovës.



