Situata nga zjarret në vend vazhdoj të jetë problematike, ku raportohet për disa vatra në mbarë Shqipërinë.
Komisioni i Bashkimit Europian po përgatitet të dërgojë mbështetje emergjente për Greqinë dhe Shqipërinë për të ndihmuar të dy vendet të trajtojnë zjarret e rënda.
Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian (ERCC) ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile për të ndihmuar Greqinë.
Kjo mbështetje përfshin dy avionë zjarrfikës “rescEU’’ nga Italia, një helikopter “rescEU” nga Franca dhe një helikopter të ofruar nga Serbia.
Për më tepër, ekipet e zjarrfikësve në tokë janë vendosur nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, ndërsa zjarrfikësit rumunë, maltezë dhe moldavë, të prepozuar tashmë në Greqi, ishin ndër reaguesit e parë që luftuan me zjarret në Greqi.
Mbështetja për Shqipërinë përfshin një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet 6 tonë ujë.
Avioni do të dislokohet më 14 gusht. Komisioni po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës.



