
Irani i ka dërguar një mesazh të rëndësishëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas sulmit izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask dje, tha ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian në llogarinë e tij X.
“Një mesazh i rëndësishëm i është dërguar qeverisë amerikane, si mbështetëse e regjimit sionist. Amerika duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin”, shtoi ai, raporton IRNA.
Sipas Amirabdollahian, Irani thirri sot në mëngjes të ngarkuarin me punë të ambasadës zvicerane, i cili përfaqëson interesat amerikane në Iran dhe nënvizoi përgjegjësinë e administratës amerikane në sulm.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi dënoi sulmin e Izraelit ndaj kompleksit konsullor të vendit të tij në Damask, duke thënë se “krimi frikacak nuk do të mbetet pa përgjigje”.
“Pas humbjeve dhe dështimeve të përsëritura përpara besimit dhe vullnetit të luftëtarëve të Frontit të Rezistencës, regjimi sionist ka vënë në rendin e ditës vrasjet e verbra”, tha Raisi.



