
Në sesionin e 54-t të “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i cili ka zhvilluar një takim me homologun e tij spanjoll, Alfonso Dastis ku sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme, u diskutua mbi Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Bushati ndërkaq u ndal dhe tek njohja e Kosovës, duke nënvizuar se rasti i saj nuk ka asgjë të përbashkët me rastin e Katalonjës. Më pas Ministri Bushati zhvilloi një takim dhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavuşoğlu ku diskutuan për çështje të karakterit dypalësh.
Ndërkaq në punimet e konferencës është hedhur ideja për një mbrojtjeje autonome të vendeve të BE-së. Në fjalën e hapjes së konferencës, Ministrja e mbrojtjes së Gjermanisë Ursula von der Leyen dhe homologja e saj franceze Florence Parly theksuan se Bashkimi Evropian ka nevojë për "autonomi" për t'iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë, madje duke forcuar angazhimet e tyre ndaj NATO-s. Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s ka premtuar të të çojë në 2 përqind deri në vitin 2020 buxhetin për mbrojtjen.
BE njoftoi në dhjetor një bashkëpunim të përhershëm të strukturuar mbi marrëveshjen e mbrojtjes, i njohur si PESCO, pakt i nënshkruar nga 25 anëtarë të BE që synon zhvillimin e pajisjeve të reja ushtarake dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe vendimmarrjes.
Stoltenberg, në Mynih, gjithashtu përsëriti se pakti mbrojtës i BE-së duhet "të mos konkurrojë por të plotësojë përpjekjet e NATO-s. BE nuk mund ta mbrojë Evropën e vetme," tha ai.



