
Fill pas caktimit që presidenti Hashim Thaçi i bëri datës së zgjedhjeve të parakohshme- 6 tetorit, është aktivizuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë. Ky institucion pritet të mblidhet gjatë ditës së sotme për të marrë vendimet e para që do t’i shërbejnë organizimit të këtyre zgjedhjeve.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se i mbetet anëtarëve të këtij institucioni për të marrë këto vendime.
“Në rend të ditës pritet të jenë disa vendime si shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së, miratimi i Planit Operacional dhe miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se në këtë mbledhje, në mënyrë që KQZ-ja të arrijë të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore, do të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për stafin.
Në anën tjetër sipas parashikimeve të para, 6 milionë euro pritet të jetë kostoja për buxhetin e Kosovës e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në pritje të një opinioni këshillues nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Financave ende nuk ka bërë ndarjen e mjeteve buxhetore për KQZ-në.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata për Kuvendin e Kosovës që nga paslufta.Deri më tani, që nga shpallja e pavarësisë, të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë duke përfshirë dhe këto të fundit ishin zgjedhje të parakohshme.



