Mësohen detaje të reja lidhur me sasinë e tritolit të vendosur në orët e para të mëngjesit të 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj.
Korrespodentja Bendis Druni raporton për MCN Live se nga kamerat e sigurisë është fiksuar një person i maskuar i cili ka shkuar drejt banesës së gjyqtarit, ka vendosur lëndën plasëse dhe më tej është larguar me shpejtësi.
Deri më tani nuk ka një person të identifikuar për shkak se ka qenë i maskuar.
Zoti Sterkaj ka dhënë dëshminë e tij duke thënë se sasia e tritolit është vendosur në banesë për shkak të detyrës që ai mban, por ende nuk ka një dyshim konkret.
Në banesën e gjyqtarit qëndron një patrullë e policisë, ndërsa gjyqtari ruhet me punonjës së Gardës së Republikës.
Mësohet se në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij.
Pista kryesore e hetimeve lidhet me detyrën e Tonin Sterkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera.
Kamerat e sigurisë në banesën e gjyqtarit Sterkaj kanë filmuar autorin të veshur me rroba të errëta dhe me maskë i cili në rrugicë ka hyrë në këmbë dhe pasi afrohet pranë portës vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë.
Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se nuk ka marrë kërcënime.
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës.
Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.



