
Vrasja tragjike e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në momentin kur po ushtronte detyrën, ka tronditur jo vetëm opinionin publik, por ka vënë në pikëpyetje sigurinë e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
Për “MCN Live”, ish-prokurori Ervin Karanxha ka bërë një analizë të ashpër, duke e konsideruar ngjarjen si pasojë direkte të papërgjegjshmërisë së organeve shtetërore, veçanërisht në trajtimin e çështjeve të pronësisë.
Ky nuk është një rast i izoluar. Është produkt i një politike të qëllimshme ku shteti shqiptar, në vend që të zgjidhë çështjet e pronës, ka nxitur dhe ka thelluar konfliktet.
Politikat shtetërore të viteve të fundit janë të drejtuara kundër pronarëve të ligjshëm, duke lehtësuar abuzimet me prona dhe duke i çuar njerëzit në përplasje të dhunshme.
Është e turpshme që në vitin 2025 ende flasim për kthimin e pronave te pronarët e vërtetë. Shteti sot ndihmon më shumë ata që kanë zënë pronat me katër dokumente false, sesa pronarët e ligjshëm që paraqesin dosje me 100 dokumente origjinale.
Karanxha theksoi se në shumë raste vetë shteti ka krijuar konflikte, duke shpërndarë prona të njëjta për më shumë se një palë.
Në rastin konkret, objekti në fjalë është privatizuar në vitin 2012, ndërkohë që shteti ia kishte dhënë më parë banorëve për banim.
Si mund të lejosh një situatë të tillë? Këta njerëz janë futur në konflikt nga vetë shteti.
Ish-prokurori kritikoi gjithashtu zvarritjet e pafundme të proceseve gjyqësore edhe pse reforma në drejtësi kishte premtuar përshpejtimin e proceseve.
Shumë çështje të pronave kanë zgjatur 15 vjet pa marrë një vendim përfundimtar edhe pse reforma në drejtësi kishte premtuar përshpejtimin e proceseve.
Sot gjyqet zgjasin me vite të tëra. Reforma në drejtësi premtoi gjykime të shpejta dhe drejtësi efikase, por realiteti është krejt ndryshe.
Kemi një drejtësi të shkatërruar. Qytetari nuk merr më drejtësi në kohë, por kalon jetën nëpër gjykata.



