Ish-deputeti Koço Kokëdhima foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me urdhër-arrestet e lëshuara së fundmi nga SPAK lidhur me aferën e inceneratorëve, duke theksuar se për herë të parë pas 30 vitesh në Shqipëri ka shenja të mira për ndëshkimin e njerëzve të veshur me pushtet.
Dua të shpreh mbështetje për veprimet e Prokurorisë dhe gjykatës. Është hera e parë në Shqipëri pas 30 vitesh abuzimesh të rënda, të njerëzve të veshur me pushtet, të interesave publike, kombëtare, të buxhetit të shtetit... Ky veprim është një shenjë e mirë. Inkurajoj SPAK-un, dhe ata prokurorë që të thellohen në evidentimin e plotë të njerëzve me përgjegjësi penale dhe ndëshkimit të tyre, që të fillojë një epokë e re, epoka e ndëshkimit të njerëzve me përgjegjësi penale. Këto masa i kontribuojnë qëllimit të sundimit të ligjit. Nuk duhen ndëshkuar personat periferikë por përgjegjësitë duhet t’i marrin autorët kryesorë të këtyre krimeve të rënda penale dhe ekonomike. Kam bërë vite të tëra një luftë të madhe që të mos lejohen inceneratorët në Shqipëri. Janë bërë studime dhe projekte dhe Shqipëria duhet të zgjidhte trajtimin ekologjik të mbetjeve urbane, zgjodhi trajtimin më të keq, është një krim i shumëfishtë”.
Sa i takon reagimeve të kryeministrit Rama mbi zyrtarët socialistë që kanë qenë apo janë nën hetim, Kokëdhima u shpreh:
Nga deklaratat politike nuk kuptojmë shumë mbi ndershmërinë apo pandershmërinë e drejtuesve politikë. Korrupsioni është në nivele që s’është provuar askund, në nivele shumë të larta. Parullat për ndëshkim janë të larta, po aq sa është korrupsioni. Nuk i marr për bazë deklaratat e drejtuesve politikë sepse nuk e besoj ndershmërinë e tyre”.
Ish-deputeti socialist i sugjeroi Ramës që të mos e përdorë më etiketimin “turp” për protestën para Kryeministrisë, duke shtuar se edhe ai vetë do t’i bashkohet për t’u solidarizuar me qytetarët.
Do t’i sugjeroja miqësisht kryeministrit të mos e përdorë etiketimin se është turp ajo që po bëjnë protestuesit, aq më pak ka diçka putiniste në të. Protesta është shumë e drejtë. Mënyra se si kriza i shkarkon efektet negative te shtresat e varfra, është jo vetëm vështirësi kolosale, por edhe diskriminim dhe fyerje për shqiptarët, po të kemi parasysh si e trajtojnë krizën vendet e rajonit, apo vende të tjera të civilizuara. Nuk ka më shumë para se Shqipëria, Maqedonia e Veriut. Familja ime ka qenë në protesta, unë s’kam vajtur, por do shkoj për solidaritet. Aspak politike”.
Sa i takon sinjaleve të qeverisë për legalizim të kanabisit mjekësor, Kokëdhima thekson se qeveria ka humbur kohë, por ende ekonomia jonë mund të përfitojë nga ky sektor.
Më vjen keq për kohën e humbur, ka pasur shumë viktima kjo kohë, që kanë vuajtur padrejtësisht ndëshkime të rënda. Djem dhe vajza u është shkatërruar jeta, për përgjegjësi penale të zbatuara abuzitivisht dhe kanë qenë të pamerituara. Sa më parë të legalizohet kanabisi, aq më parë ekonomia e Shqipërisë do të përfitojë diçka. Zakonisht një treg e zotërojnë ata që hyjnë të parët. Kam deklaruar që s’do përfshihem në biznesin e kanabisit mjekësor, sepse s’kam dashur që një njeri të mendoj se kam interesa të drejtpërdrejta dhe prandaj e loboj”.
Duke u ndalur te ndërhyrja e politikës në FSHF, Kokëdhima tha se familja e futbollit ia doli të qëndrojë e bashkuar dhe të ruante autonominë.
Ishte një përpjekje e dukshme e politikës për të interferuar fuqishëm në komunitetin e futbollit. Do kishte pasur pasoja jashtëzakonisht të këqija. Ishulli i futbollit është një model i mirë zhvillimi, pavarësisht kritikave që mund të bëjmë për të. Jam skeptik që atje ku fut duart politika të mbeten në këmbë modelet e mira. Familja e futbollit ia doli të qëndronte e bashkuar, të ruante autonominë dhe të sillej me shumë përgjegjësi. Nuk është sjellë si triumfator futbolli. Nuk do t’ia kishim dalë dot pa ndihmën vendimtare të UEFA-s dhe FIFA-s”.
Sa i takon zhvillimeve të fundit në PD, Kokëdhima tha:
Jemi atje ku ishim. U bë një përpjekje për t’ia marrë partinë Berishës nga i emëruari i tij Basha. Ky projekt dështoi. Nga pikëpamja e përfitimeve si shoqëri s’kemi progres. Shqipëria është një vend i kapur, gjithë pushteti është në duar të dy kryetarët, janë punëdhënësit e parlamentit, emërojnë të zgjedhurit, gjithçka. Saliu bëri gjithë ato fjalime në turin sovranist, që mua më ngjajnë sarkastike, po të kemi parasysh se puçi që iu bë Republikës në 2008-ën nga Saliu dhe Rama pushkatoi liritë republikane dhe sovranitetin e popullit. S’e kisha parashikuar që Basha do dorëzohej kaq shpejt, për shkak të energjive që suportonin në vendimmarrje, dhe për këtë çështje dua ta komplimentoj z.Berisha, duke e bërë përgjegjës për mëkatet në tranzicionin 30-vjeçar. Derisa kryetarët të vdesin politikisht nuk besoj se do lëshojnë pushtet. E ftoj Berishën të reflektojë dhe ta rregullojë bilancin e veprave të mira në Shqipëri”.



