
Sali Berisha do t’i përgjigjet me një padi për shpifje sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, i cili një ditë më parë dha i pari vendimin e DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit shqipatr në SHBA.
Në një dalje për mediat, Berisha tha se për padinë ka angazhuar një avokat në Francë, i cili e ka depozituar atë në Gjykatën Korreksionale të Parisit.
Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte për shpifje publike.
Berisha tha se me dyshimet për korrupsion, mbi të cilat është marrë vendimi për shpalljen non grata, i është cenuar dinjiteti. Ish-kryeministri u tregua i kujdesshëm për të bërë një ndarje mes SHBA-ve dhe zotit Blinken, i cili sipas tij e ka fyer duke ngritur ndaj tij një akuzë pa pasur prova.
“Është çështje dinjiteti”
Shumë variante dhe hamendje mund të dalin. Por besoj se hapi më i rëndësishëm është t’i drejtohem gjykatës dhe ajo të nxjerrë të vërtetën se kush është Sali Berisha, e shoqja dhe fëmijët e tij. Unë në radhë të parë e kam çështje dinjiteti.
“Blinken më cenoi nderin”
Është ai që përdori autopritetin e tij për të cenuar nderin dhe dinjitetin tim. Nuk do të doja kurrë të ishte ai, por e bëri këtë dhe unë nuk kam asnjë kundërshtim. Po i përgjigjem në gjykatë. Meqë nuk shkoj dot në SHBA, zgjodha një gjykatë tjetër.
“Distancim nga PD, betejën e bëj vetë”
Grupi parlamentar nuk ka asnjë gjë të përbashkët me këtë. Betejën do të bëjë Sali Berisha dhe avokatët e tij.



