
Rusia po investon shuma të mëdha parash, në mënyrë që të pengohet anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në një intervistë për gazetën “Zëri” në Kosovë, David L. Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme, thotë se Rusia po kërkon ta zgjerojë ndikimin e saj malinj në gjithë Ballkanin dhe hedh dyshime se baza humanitare në Nish është në të vërtetë është një qendër për spiunimin e vendeve në rajon.
“Rusia ka shitur armë të sofistikuara në Serbi, duke përfshirë aeroplanët luftarakë ‘MIG’ dhe mjete të rënda të blinduara. Ajo dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e Kosovës dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale. Treni rus i dërguar në Mitrovicë ishte një provokim i furishëm”, shprehet ai.
Phillips thotë se në raport me Kosovën, veprimet e Serbisë bashkërendohen gjithmonë me Rusinë, në mënyrë që të pengohen njohjet dhe anëtarësimet në organizmat ndërkombëtarë.
“Serbia është e autorizuara e Rusisë në rajon. Të dyja vendet përpiqen t’i minojnë përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. Përpjekjet e përbashkëta të Rusisë dhe të Serbisë në takimin e INTERPOL-it në Dubai tregojnë se si Rusia e Serbia i bashkërendojnë veprimet e tyre në dëm të Kosovës”, thotë ai.



