
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Konispol, ku burri vrau gruan dhe më pas djali ndërhyri në konflikt duke hedhur babanë nga shkallët, duke i shkaktuar vdekjen, zbardhet dëshmia e të birit të çiftit.
Ndaj Klement Islamaj, 41-vjeçari i arrestuar për vrasjen e babait të tij, ende nuk ka një akuzë zyrtare.
Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së martës, ku ka thënë se nuk ka patur për qëllim të vriste të atin, por vetëm e ka shtyrë atë për ta larguar nga vetja.
Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit, po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të shkoja të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur arrita aty, gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja.
Krimi i rëndë në familje ndodhi mëngjesin e 6 gushtit, në fshatin Shalës të Konispolit në Sarandë. Gjatë një sherri në banesë, 69-vjeçari, Hysen Islamaj ka goditur disa herë me sopatë bashkëshorten Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend.
Skenat dhunshme ndodhën para fëmijëve të Klementin Islamajt, të cilët jetonin në banesë me gjyshërit. Burimet thonë se ka qenë mbesa 10-vjeçare që ka telefonuar të atin duke i thënë se gjyshi ka vrarë gjyshen.
Klementin Islamaj i cili gjendej në kafen e fshatit është kthyer në banesë dhe pasi ka gjetur nënën të pajetë dhe për këtë arsye dyshohet se ka shtyrë nga shkallët të atin, i cili për shkak të goditjes në kokë humbi jetën.
Ndërkohë, 41-vjeçari është lejuar nga policia në varrimin e dy prindërve të tij, që u zhvillua në orën 11:00 në fshatin Shalës, i shoqëruar nga efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Pozitat e tij para ligjit duken të lehtësuara, pasi nga të gjitha provat dhe faktet, duket se vrasja e 69-vjeçarit Hysen Islamaj nuk ka ardhur as në formë hakmarrje për vrasjen e nënën së Klementinit e as si rrjedhojë e dashjes së drejtpërdrejtë nga ana e tij.



