
Protesta e sotme e opozitës para Kuvendit, ka shënuar incidente të herëpashershme. Protestuesit e opozitës janë përplasur me policinë duke u përpjekur që të çajnë korodonin dhe të hyjnë drejt Parlamentit.
Për disa minuta, protestuesit, mes të cilëve dhe shumë ish-deputetë, janë shtyrë me kordonin e policisë si dhe kanë hedhur gurë e kapsolla në drejtim të këtyre të fundit.
Protesta e opozitës ka shënuar për herë të parë një rast të dhunës në mesin e protestuesve. Një grup protestuesish kanë goditur me grushta një person tjetër, i cili ndodhej në protestën e opozitës duke e larguar atë nga protesta. Personi i goditur sipas një grupi protestuesish, pretendohet të jetë i infiltruar nga policia.
Është dashur ndërhyrja e ish-deputetit Luçiano Boçi dhe ish-deputetëve të tjerë për të qetësuar situatën.
Më tutje personi i akuzuar si i infiltruar i policisë është larguar nga protesta e opozitës.
Të lidhur me pranga në duar, të rinjtë e forumeve rinore të PD-LSI kanë zhvendosur protestën drejt Kryeministrisë. Ka qenë Belind Këlliçi, i cili ka bërë thirrje që protestuesit të zhvendosen nga Kuvendi në drejtim të Kryeministrisë.
Protesta e opozitës u mbyll pas 3 orësh, para selisë blu. Nënkryetari demokrat, Edi Paloka, tha se protestën e sotme e drejtuan studentët.
“Rama ik! Vëllezër dhe motra dua t’ju përshëndes edhe njëhrë për forcën tuaj, rezistencën tuaj. T'ju përshëndes edhe në emër të kryetarit të PD, zotit Lulzim Basha. Sot protestën tonë e drejtuan jo më kot studentët. Ata ishin në ballë, ata ishin zemra e protestës. Shqipëria që ne duam jo ajo që do Edi Rama, është Shqipëria e studentëve, është Shqipëria që duam për të rinjtë tanë”, tha Paloka.



