
Vaksina e parë në botë Covid në formë pilule është aktualisht në zhvillim e sipër dhe së shpejti mund të hyjë në fazën e testeve klinike.
Oravax po zhvillohet nga izraelito-amerikania “Oramed Farmaceutic” dhe “Premas Biotech”, me bazë në Indi, të cilët janë bashkuar për të prodhuar ilaçin. Studimet pilot mbi kafshët kanë treguar se Oravax ndihmon në prodhimin e antitrupave që luftojnë virusin. Për më tepër, të dhënat fillestare tregojnë se nevojitet vetëm një dozë, çka potencialisht e kalon atë në avantazh në raport me vaksinat tradicionale.
Prodhuesit thonë se vaksina orale do të eleminonte probleme si ruajtja dhe transporti - disa nga gjeneratat aktuale të vaksinave Covid duhet të ruhen në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, gjë që komplikon logjistikën dhe përdorimin e produkteve. Vaksina orale, nga ana tjetër, mund të merret si çdo pilulë tjetër.
Nëse testet rezultojnë të suksesshme, ky mund të jetë një hap gjigant përpara në luftën kundër Covid, veçanërisht nëse, siç parashikojnë disa studiues, përfundimisht do të kërkohet një dozë vjetore, siç është rasti me vaksinën e gripit.
Aplikimet te njeriu mund të fillojnë që në korrik.



