Ish-kandidati i Djathtas për Zhvillim në qarkun e Vlorës, Edvin Kulluri, tha në Mcn Live se dhuna ndaj makinave të gjyqtarëve në GJKO i “ka vënë kapakun pusetës” ku ka hyrë Erion Veliaj. Sipas Kullurit, Ramës “i tërhoqën veshin” nga jashtë vendit që të hiqte dorë nga tentativa për grusht shteti.
“Dosja e Veliajt është nga dosjet më të qepura të Prokurorisë, që kam parë, dhe gjykata s’mund të dalë kundër Prokurorisë pa një argument. Sjellja e tij ia ka rënduar situatën. Ngjarja më e rëndë s’është te fjalori që ai ka përdorur, as kërcënimet ndaj prokurorit në sallën e gjyqit, por e drejta e mbrojtjes s’është të sulmosh me dhunë makinat e gjyqtarëve GJKKO, dhe besoj aty Veliaj i ka vënë kapakun pusetës ku ka hyrë vetë. Kanë qenë akte të dhunshme, protesta të orkestruara, me ndihmë e drejtpërdrejtë të Ramës, të cilit diku i kanë tërhequr veshin, me sa kam informacion jashtë shtetit që mos vazhdojë të bëjë tentativa për grusht shteti.
Ka kaluar afati i veprimit të Këshillit Bashkiak. Jetojmë në një vend ku drejton despoti, jo ligji. Janë shkrirë barrierat kushtetuese mes pushteteve. Kemi një Parlament që kontrollohet nga kryeministri. Jemi kthyer prapë te diktatori dhe kemi ikur nga ligji. Kjo është një përpjekje orientaliste. Ky vend me këtë mënyrë sjellje të lidershipit dhe institucioneve, ka shkuar në regres demokratik shumë të madh.
Këshilli Bashkiak, ditën që kanë skaduar 3 muaj nga pamundësia e kryetarit të bashkisë për të ushtruar funksionin, ata duhet të konstatonin faktin dhe t’ia çonin qeverisë për shkarkim dhe më pas qeveria t’ia çonte Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve. E di pse kujdeset Rama? Sepse nëse e bën këtë në Këshillin Bashkiak fillon frika e bilbilit nga burgu, sepse s’mund të shkojë 12 vjet në burg, pa thënë një fjalë”.



