Policia e Shtetit ka arrestuar një 34-vjeçar nga Tirana i cili transportonte emigrant të paligjshëm drejt kufirit me qëllim kalimin në vendet e Bashkimit Europian.
E.A., 34 vjeç është arrestuar në flagrancë nga policia ndërkohë që transportonte 5 emigrantë nga Tirana në drejtim të Fushë-Krujës, me destinacion qytetin e Kukësit ku më pas do të kalonin edhe kufirin.
Gjatë ndjekjes nga policia, mjeti i cili ishte në drejtim të 34-vjeçarit me 5 emigratë të paligjshëm si pasagjerë, është përfshirë në një aksident rrugor duke duke marrë edhe plagë të lehta.
5 emigrantët dhe drejtuesi i mjetit janë transportuar për në spital për të marrë ndihmën e parë dhe pas mjekimit kanë dalë nga spitali.
Në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim edhe një 26-vjeçar me iniciale O.C., i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor i 34-vjeçarit në kalimin e emigrantëve jashtë kufirit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.



