
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë ta dënojnë gjuhën agresiv të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Gërvalla e ka konsideruar “skenë teatrale” konferencën e djeshme të Vuçiçit, në të cilën prezantoi pesë masa që Beogradi do ndarmarrë pas tensioneve në Veri të Kosovës.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve. Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra”, ka shkruar Gërvalla në rrjetet sociale.



