
Me qëllim të parandalimit të rasteve të infektimit në masë të personave me Covid-19, duke filluar nga 4 janari i vitit 2022, të gjithë punonjësit e administratës publike, ato të supermarketeve dhe qendrave tregtare duhet të paraqesin në punë certifikatën e vaksinimit ose provë e testit PCR negativ çdo pesë ditë.
Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është botuar dje në Fletoren Zyrtare.
“Këto punonjës, si një ndër kategoritë që rrezikohen dhe përbëjnë rrezik për të tjerët, me qëllim për të penguar përhapjen e infeksionit të shkaktuar ngaCOVID-19, duhet të depozitojnë pranë qendrës së punës, duke filluar nga data 4.1.2022, certifikatë vaksinimi COVID-19, të lëshuar nga e-Albania”, shkruhet në vendim.
Kjo certifikatë vërteton vaksinimin e plotë, në formë digjitale apo të printuar.
Gjithashtu nëse nuk kanë certifikatën duhet të paraqesin test PCR-je, çdo pesë ditë, të kryer sipas procedurës për kryerjen e testeve për efekte administrative, për të verifikuar që nuk janë mbartës të infeksionit Sars-Cov-2 ose certifikatë shërimi COVID-19 të lëshuar nga e-Albania ose dokument të lëshuar nga autoritetet shëndetësore të vendit, që provon shërimin nga infeksioni Sars-Cov-2.
Ndërkohë në Shqipëri zyrtarisht ka mbërritur varianti Omicron pasi janë shënuar dy rastet e para.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve u vendos që masat kufizuese për festat e fundvitit të mbeten në fuqi, përveç natës së ndërrimit të viteve, kur njerëzit do të duan të festojnë me familjarët e tyre, ora policore do të mbetet 23:00 – 06:00.



