Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, i ka dërguar një letër të përditshmes italiane “La Repubblica”, në të cilën i kërkon të përgënjeshtrojë artikullin me titullin “Terrorizmi, flamujt e ISIS-it në fshatrat e Shqipërisë. Fuçi baruti për Puglia-n”.
Përmes një letre drejtuar pikërisht drejtorit përgjegjës, Ezio Mauro, ministri kërkon përgënjeshtrim dhe që artikuj të tillë të mos publikohen pa kërkuar informacion zyrtar të autoriteteve të shtetit shqiptar.
Tahiri tërheq vëmendjen për artikullin, i cili njëkohësisht shpreh shqetësim të kuptueshëm dhe të mirëkuptuar ndaj një rreziku të përbashkët si terrorizmi, por jep gjithashtu një lajm spekulativ, bazuar në të pavërteta flagrante, deformime dhe akoma më keq, gënjeshtra, pa verifikuar burimet e informacionit. Tahiri e cilëson një shkrim të tillë cenim të imazhit të Shqipërisë në sytë e lexuesve të huaj.
“Besoj është shumë e tepërt t’Ju sqaroj se në vendin tonë, nuk ka asnjë fshat ku “ngrihet” flamuri i ISIS, kësisoj asnjë rrezik i shtuar nuk i vjen Italisë, përveç rrezikut të përbashkët, nga i njëjti armik i përbashkët, terrorizmi”, thuhet në letër.



