
Gazetari Xhevahir Zhabina tregoi në emisionin “Stay Tuned” se fillimisht punën në sektorin e kronikës së zezë ia kanë “ngecur” pasi askush nuk pranonte ta merrte përsipër.
Zhabina tha më tej se para 12 vitesh ishte më e vështirë të ishte gazetar i kronikës së zezë pasi çdo hap duhet ta ndiqje vetë, ndërkohë që sot është më e thjeshtë duke pasur parasysh dhe4 zhvillimin e teknologjisë.
Sipas Zhabinës një dekadë më parë kishte më shumë krime, ndërkohë që sot ka më pak por janë më të sofistikuar.
Fillimisht gazetarinë e kam nisur tek gazeta “Mapo”, por e pashë që nuk ishte për mua, nuk më kënaqte. Rastësisht erdhi idea për të bërë televizion, me anë të miqve që kisha krijuar u sistemova tek “Ora News”. Ishte interesante se i vetmi vend që nuk merrej përsipër nga asnjë gazetar ishte kronika e zezë. Kur shkova aty si gjithë çunat doja të bëja sport, por vendi ishte i zënë. Më thanë 'fillo një herë se pastaj do të sistemojmë diku tjetër'.
Fillova punë, por në një farë mënyre edhe ma ngecën këtë sektor ku jam prej 12 vitesh. Prej 2012 deri sot kam qenë i atashuar fillimisht Polici-Prokurori, por më pas i fokusuar tek sistemi i drejtësisë.
Në atë kohë ka pasur më shumë ngjarje kriminale, sot janë më pak, por janë më të sofistikuara. Atëherë kishte më shumë krime, vjedhje. Grabitje, vrasje për shkaqe të ndryshme si prona, xhelozia. Në vitet 2012, 2013, 2014 kishte shumë krime pasioni. Ishte e vështirë pasi nuk kishim mjetet që kemi sot. Aso kohe ishte e vështirë të siguroje një foto, një video. Atëherë ishte e gjitha punë mekanike, gazetari e mirëfilltë, ku ti shkoje në terren, merrje plane, gjeje personazhe që mund të çonte diku tjetër dhe t’i duhet ta ndiqje vetë.
Sot është më e thjeshtë pasi ty të vjen në What app-in tënd direkt. Kronika është ndryshe pasi ke të bësh me informacion sensitiv, prek shumë njerëz, je në dyshime ta nxjerrësh apo jo. Është pak e vështirë të jesh gazetar kronike pasi duhet t’i peshosh mirë gjërat para se t’i nxjerrësh.



