
Më 13 gusht 1983, ndërroi jetë Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare dhe disidentja e parë e regjimit komunist.
Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare. Në vitin 1939, ende në auditor, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”.
Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.
Në vitin 1944, pas botimit të librit të saj të dytë “Rreth vatrës”, do të niste një kalvar përndjekjeje për familjen e saj. Më 12 nëntor të atij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më pas, do të arrestonin edhe Musinenë, e cila u mbajt në burg për 17 ditë. Pas arrestimit të janarit 1946, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. Në vitin 1981 u sëmur rëndë dhe pas dy vjetësh ndërroi jetë.
Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”.
Në shkurt të vitit 2022, DPA-ja mori në dorëzim nga familja Kokalari një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike.
Ky korpus i veprës së Kokalarit iu bashkëngjit fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj.



