
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar mbajtjen e seancës plenare, në të cilën do të dilte në votim Qeveria e tij.
Kurti ka kërkuar që seanca të mbahet me 3 shkurt, një ditë para skadimit të afatit kushtetues që ai ka për formimin e Qeverisë.
Kërkesën për seancë Kurti ia ka dorëzuar Kuvendit, kryesia e të cilit mblidhet nesër.
Për këtë vendim të Kurtit janë njoftuar të gjithë deputetët e Vetëvendosjes.
Sipas mediave në Kosovë, brenda Grupit Parlamentar të VV-së, është kërkuar nga ana e tyre që ditën e hënë, të 3 shkurtit, ata të gjithë të jenë prezent në Kosovë.
Në kërkesën për ta, thuhet se ata do të kenë takim dy orë para fillimit të seancës, që pritet të mbahet të hënën.
Vetëvendosje, ende nuk i ka të siguruar votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike, pasi që partia e Mustafës, ende nuk ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.
Kryetari i LDK-së, e ka komentuar thirrjen e Kurtit për seancë të jashtëzakonshme, teksa e ka bërë të qartë se nuk mund të garantojë që deputetët e tij do ta votojnë qeverinë Kurti, nëse këto dyja parti nuk do të arrijnë koalicion.
Kurse, deputetët e Listës Serbe, në takimin e sotëm me mandatarin për formimin e qeverisë, Albin Kurti, ia kanë vënë disa kushte këtij të fundit.
Njësoj kanë vepruar edhe deputetëve tjerë të komuniteteve në Kosovë, Duda Balje dhe Veton Berisha.
Berisha ka thënë se kërkesa e tij është që ata të udhëheqin me një ministri në kabinetin e ardhshëm të qeverisë.



