
Ergis Sefa, ekspert ekonomie tha në studion e emisionit “MCN Economy” se jemi në një fazë që duhet të dalim nga modeli ekonomik që kemi pasur këto dekada të fundit dhe të zgjedhim me çfarë do të merremi.
Sefa tha se vitet e fundit është thelluar hendeku mes importeve dhe eksporteve.
Struktura jonë ekonomike nuk bazohet mbi prodhimin, apo produktivitetin në përgjithësi, apo manifakturën e lehtë, por bazohet tek kostoja e lirë e punës që i ka kaluar koha.
Kjo ka sjellë të kemi thellim të hendekut mes asaj që importojnë dhe asaj që eksportojmë që është deficiti tregtar.
Në 4 vjet kemi importuar mbi 1 miliard euro më shumë se çbënim para 4 viteve, ndërkohë që po të shohim nivelin e eksporteve, jo vetëm që është në rënie, por niveli i produktivitetit të ekonomisë nga brenda është në stanjacion.
Në afatmesëm dhe afatgjatë është problem se je gjithmonë i varur nga shija e tjetrit. Nëse do kemi do të kemi probleme në tregjet ndërkombëtare apo ato rajonale, do të kemi ndikim direkt se varemi nga importet, qoftë edhe për ushqimet. Nëse nuk ke shtylla të brendshme, prodhuese të forta do të jetë e vështirë të mos prekesh nga krizat e jashtë,. Dhe në rast se do të shtosh mirëqenien e njerëzve do të jetë 2-3 herë më e vështirë.
Ka një sërë faktorësh se pse nuk arrijmë të prodhojmë.
Ka faktorë që ndër të tjera kanë të bëjnë me produktivitetin dhe me strukturën ekonomike që kemi.
Duhet të zgjedhim me çfarë do të merremi, kush do të jetë avantazhi ynë krahasues, sidomos tani që do të hyjmë në tregun europian. Nuk jemi gati të përgatitemi për 1-2 prodhime apo sektorë industrialë që duhet të marrin avantazhin tonë krahasues.
Jemi në një fazë që duhet të dalim nga modeli ekonomik që kemi pasur këto dekada të fundit dhe duhet të zgjedhim si të bëjmë një model ekonomik që të jetë produktiv dhe për qytetarin e thjeshtë.



