Nga Himara, Redon Meksi ndau me shikuesit e MCN TV përvojën e tij si pushues. Ai tha se ky sezon nuk ka ndonjë ndryshim nga ai i vitit të kaluar, sa i përket numrit të pushuesve. Meksi u ndal te mënyra si pasqyrohet shpesh në rrjetet sociale frekuentimi i plazheve të jugut. Ai tha se postimet që flasin për braktisje të jugut dhe çmime të larta nuk dëmtojnë qeverinë, por vetë turizmin dhe operatorët e ndershëm që punojnë në këtë treg. Ky sulm në rrjetet sociale ka sjellë sipas Meksit edhe rënien e numrit të pushuesve vendas në jug të Shqipërisë.
Është plot me turistë të huaj, plazhet publike janë plot. Po kërkoja dhomë për një mikun tim për të hënën, nuk ka asnjë dhomë. Megjithatë, nuk di të them a është xhiroja e lartë njësoj si vjet.
Mungojnë punonjësit e shërbimit. Shërbimi do praktikë dhe studim të gjatë tregu. Këtu mungojnë. Investitorët strategjikë rreth e qark Himarës janë persona që nuk janë marrë ndonjëherë me turizmin. Ato që e bëjnë turizmin në Shqipëri dhe në këtë zonë janë djem dhe vajza e Tiranës, ata që kanë jetuar jashtë, të rinj që duan jetën e qejfit. Janë ata që kanë rritur turizmin. Nuk kanë lidhje me qeveritë.
Kam vënë re në komente, në rrjetet sociale, që lumturohen që nuk ka turistë. I duket opozitës dhe njerëzve afër saj sikur po sulmojnë Edi Ramën. Turizmi është pasuri e gjithë shqiptarëve. Nesër ikën Edi Rama. Me këtë sulm ne i bëjmë dëm vetes tonë. Shumica e operatorëve turistikë janë njerëz të ndershëm që punojnë në këtë treg të ndyrë, në këtë treg pa rregulla, ku shteti nuk të lejon të veprosh siç duhet. Po mundohen të mbijetojnë dhe të rriten. Dhe ia kanë dalë të promovojnë dhe të rrisin turizmin shqiptar në këto vite. Tani t’i dëmtojmë për inat të një personi të vjen ajo shprehja “për inat të sime vjehrre shkoj me mullixhiun”.
Himara të ofron çdo gjë. Duhet të mundohesh, ti gjesh. Ka gjithçka. Ka plot gjëra që mund të bësh. Ka monumente kulture që shteti nuk ka arritur kurrë t’i promovojë. Në numër pushuesish është plot për plot, po ashtu si vjet. Shpresojmë që ne të mos vazhdojmë me këto sulme sepse është e vetmja formë që mund t’i bëjmë dëm turizmit. Duke treguar që është shtrenjtë, që nuk ka pushues.
Për mua ka ndikuar negativisht ky sulmi në rrjetet sociale. Me qëllimin për të dëmtuar Edi Ramën, në fakt janë larguar shqiptarët nga turizmi në Shqipëri. Ka më pak shqiptarë se vjet. Janë trembur se po të shkosh në jug nuk ia del dot. Në fakt, ia del edhe me buxhet minimal.



