Drejtori i Institutit për Gjeopolitikë Sadri Ramabaja tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se rezultati i zgjedhjeve në Kosovë flet në dobi të Vetëvendosjes. Sipas Ramabajës zgjedhjet lokale kanë treguar që grupimi në dy blloqe është fakt i kryer dhe do shkojmë në zgjedhjet e jashtëzakonshme me këtë skemë. Ai e konsideron fitoren e LDK-së në Prishtinë të ngjashme me fitoren e Pirros.
“Janë zgjedhjet lokale me intensitetin më të madh që prej pas çlirimit të Kosovës. Ndoshta janë përcaktues relativisht i qartë i kahjes së lëvizjes që do të pasojë pas dhjetorit me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Për fat të keq s’është lexuar mesazhi i zgjedhjeve si duhet, sa duhet, nga të gjithë. Republika e Kosovës po ballafaqohet me dy modele qeverisëse, me atë korporativist të korruptuar deri në fyt të qeverive të mëparshme dhe modelin që ka promovuar në qeveri Vetëvendosja, që i përket sferës së social-demokracisë, e ngjashme me social-demokracinë skandinave.
Ishte e pamundur të kishim rezultat tjetër, pasi u krijuan dy blloqe politike që u çimentuan fuqishëm në ish-bastionet e tyre. Megjithatë ka një çarje. Demokracia ka efektin e vet pozitiv. Harta politike e Republikës së Kosovës është tashmë shumëngjyrshme, ka një efekt tjetër, por këto shumë ngjyra janë vetëm për efekt vizual. Më e mira do ishte të ishin 3 ngjyra, që de facto pasqyrojnë realitetin politik në Kosovë .Një që pasqyron bllokun e partive korporativiste që janë peng e oligarkisë që vet kanë krijuar, grupimi i dytë është Lista Serbe që është produkt i marrëveshjes së vitit 2013 dhe Lëvizja Vetëvendosje me dy partitë minore Guxo dhe Alternativa.
Këto zgjidhje prodhuan ngushtim të diferencës mes votuesve që votojnë për pushtetin qendror dhe lokal. Fitorja që i ndodhi LDK-së me Prishtinës është fitorja e Pirros, sepse në zgjedhjet pararendëse kishte më pak se 30 për qind të votuesve, dhe në balotazh iu bashkëngjitën të gjitha forcat e establishmentit të vjetër dhe një fuqi marramendëse e parave të derdhura nga oligarkët, dhe mediat që janë këtu të oligarkët, dhe për fat të keq edhe mediave në Tiranë. Ky rezultat flet në dobi të VV, edhe aty ku s’ka fituar, është e dyta. Zgjedhjet lokale kanë treguar që grupimi në dy blloqe është fakt i kryer dhe do shkojmë në zgjedhjet e jashtëzakonshme me këtë skemë. Nevoja pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do jetë krijimi i një forcë të djathtë reale".



