Numri i të vdekurve nga përplasja e trenit të së martës në Greqi ka shkuar në 57 persona. Eleni Zaggelidou, një nga dhjetë mjekët ligjorë që punojnë në hetim, tha se ADN-ja ishte marrë nga 57 trupa të paprekur.
Ndërkohë në orë 12:00 në qendër të Athinë nxënës dhe studentë do të mbajnë një protestë. Gjithashtu pasdite do të zhvillohet edhe një protestë e heshtur nga ana e qytetarëve. Kësaj nisme do t’i bashkohet edhe Federata Panhelenike Hekurudhore, ndërsa është ndaluar qarkullimi i trenave.
Një ministër i qeverisë tha se masat shtrënguese gjatë krizës ekonomike të Greqisë në vitet 2000 kishin kontribuar në mungesën e investimeve në hekurudha. Punëtorët e hekurudhave mbajtën një grevë njëditore të enjten pas katastrofës, duke fajësuar neglizhencën e qeverisë.
Më shumë se 2000 njerëz protestuan për të dytën ditë në Athinë dhe Selanik, të tronditur nga fatkeqësia pranë qytetit të Larisës.
"Ne jemi të zemëruar me kompaninë, me qeverinë dhe qeveritë e kaluara që nuk bënë asgjë për të përmirësuar kushtet në hekurudhën greke," tha pensionisti Stavros Nantis në Athinë.

Punonjësit e shpëtimit janë ende duke kaluar nëpër vagona të djegura duke kërkuar për viktima.
Ky ishte "momenti më i vështirë", tha shpëtimtari Konstantinos Imanimidis për agjencinë e lajmeve Reuters, sepse "në vend që të shpëtojmë jetë, ne duhet të rikuperojmë trupat".
Një shërbim pasagjerësh që transportonte 350 persona u përplas me një tren mallrash pak para mesnatës të së martës, pasi ata përfunduan në të njëjtën linjë, duke shkaktuar që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë.




