Farmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live se rrezikshmëria e monopatinave është shumë e lartë dhe se ato duhet të ndalohen menjëherë, së paku sa të vendoset një bazë ligjore ku të përcaktohen qartë rrugët ku këto mjete duhet të lëvizin, personat që mund t’i drejtojnë dhe certifikimi i tyre.
Sipas Hashos, është për të ardhur keq që asnjë institucion nuk ka reaguar deri tani për aksidentin ku mbetën të plagosur 3 fëmijë.
Rrezikshmëria e tyre është 100% e madhe. Nuk kemi asnjë lloj ligji që të përcaktojë në mënyrë korrekte se çfarë janë, kush duhet t’i përdorë dhe në çfarë rrugësh duhet të lëvizin. Jemi në kushtet e diçkaje të paligjshme që mund të shkaktojë pasoja të rënda.
Asnjë institucion nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Kanë kaluar 48 orë nuk kemi asnjë lloj deklarate, kjo është për të ardhur keq. Kam 3 vjet që këmbëngul që këto mjete nuk duhet të jenë në rrugë pa u sistemuar baza ligjore.
Vijojnë të lëvizin pa asnjë problem, nga 2-3 persona në një monopat. Ka mjetet të tilla që ecin me 70 km/orë.
A janë të kontrolluara këto firma që importojnë këto mjete. Dhe bashkia që i jep me qira a ka kryer kontrolle se kush i merr këto mjete. Janë disa prita që mund të vendosin.
Duhen ndaluar në mënyrë të prerë dhe pasi të plotësohet baza ligjore të fillojnë të lejohen avash-avash po kriteri bazë duhet të jetë rrugët që do ecin, personat që duhet t’i drejtojnë dhe ato që do hyjnë të jenë mjete të certifikuara.



